Tedi

French (Fr)Deutsch (DE-CH-AT)Italian - ItalyJapanese(JP)Russian (CIS)简体中文(中国)Español(Spanish Formal International)English (United Kingdom)



Bach pdf Shtyp Email

cd5

Asnjë muzikë tjetër nuk duket se përmban kaq shumë metamorfoza dhe zbulime,  gjatë jetës së një artisti, sa muzika e Bahut. Zbulime harmonike, ritmike, arkitekturore: secili çdo herë duket sikur është i vetmi që përqëndron një kuptim të veçantë, një të fshehtë, dhe denduria e tyre është pa dyshim e përpjesëtuar me pasurinë e një vepre të tillë, ku është e pamundur të ngërthehen njëkohësisht të gjitha dimensionet e arritura.

Brenda këtyre dy dhjetëvjeçarëve që unë kam qenë në kontakt me sonatat e partitat për violine, kërkimet e mia si interpreues i thjeshtë ndahen në disa etapa shumëvjeçare. Rrugëtimi im mund të përmblidhet me disa fjalë: mrekullim nga magjia e harmonisë dhe e pasurisë shprehëse që ajo gjeneron, pastaj ndërgjegjësim për nevojën e një toni më të përulur, në një përputhje ndoshta më të madhe me vendin që zë njeriu në kohën kur u shkrua kjo muzikë – për t’i shërbyer përfundimisht të njëjtit vrundullim  ndjenjash.

Lidhur me këtë, unë dua të theksoj një aspekt, që bëhet i kuptueshëm vetëm duke parë tërësinë e sonatave dhe të partitave: orientimi i ndjenjës nëpërmes vazhdimësisë së tyre. Më magjeps veçanërisht ideja se në qoftë se tonalitetet e secilës prej tyre nuk janë përftuar, me sa duket, për të qenë të lidhura, duke përshkuar katër sonatat e para, gjejmë një rrugëtim të pasioneve dhe brengave njerëzore gjithmonë në rritje, - pasione «të lehta» të frymëzuara nga baroku francez (partita e parë), dhimbje e revoltuar, therëse (fuga në la minor), - për të arritur kulmin në çakonën, ku edhe elementi «hyjnor» ( në re maxhor) gjendet, në fund, i rrëmbyer në një shkumëzim mallëngjimi pa iluzione.

Nga ky moment, sipas meje, ndodh një shkëputje. Që në notat e para të sonatës së tretë në do maxhor, ndihemi ne prani të një tjetër esence, minerale, ku zotëron, fillimisht, një optimizëm i ftohtë, indiferent (adaxhio). Ngjitemi edhe një shkallë në hyrjen e fugës që, për mua, nuk ka si mos të të kujtojë kohën e dytë të op.111 të Bethovenit – i njëjti tonalitet themelor i do maxhorit – tok me një gëzim të papërmbajtur, të paluhatshëm, në afrim, si dhe me përshtypjen e sigurisë absolute të vërtetuar në formë, te Bahu, me anë të një rimarrjeje pa asnjë ndryshim të gjithë ekspozicionit, përveç një soli të çmendur e kryeneç, që del nga akordi i fundit për të mbetur pezull, si për të treguar që fuga do të vazhdojë edhe kur ajo të ketë heshtur.  Ndjek partita e tretë në mi maxhor në një karakter gëzimi fëminor, gjithmonë në nje lehtësi te thjeshtë, në fund të së cilës gjithë vepra  kurorëzohet me një zhigë lojcake e gazmore.

Më duket një fat shumë i madh që të ndjesh, përmes muzikës së tyre, atë që kanë përjetuar njerëzit e aftë për të realizuar vepra të tilla, duke na injektuar ndjenjen e tyre, - në mënyre sigurisht kalimtare, por megjithatë të pashterrshme, - pa qënë të detyruar të bejmë një rrugëtim  të pamundur për ne.

Kam përdorur këtu qëllimisht fjalë me shprehësi në dukje të tepruar, madje pompoze, por që  nuk janë përfaqësuese, besoj, të tonit që kam zgjedhur për interpretimin tim. Më është dukur gjithmonë thelbësore, jashtë kuadrit stilistik, të cilit pranojmë ti përulemi, që të kalojë në këto vepra një magji, e cila, e interpretuar ndryshe, si pas epokave, ka mrekulluar dhe frymëzuar gjithëmonë njëlloj interpretë e dëgjues.

Por pa dyshim të gjithë do të mbetemi vazhdimisht në gjëndje dëlirësije para kësaj muzike, dhe mbase është edhe ky një nga fatet që ajo na dhuron.


Tedi Papavrami

 
Kemi 10 vizitorë n'linjë
Enregistrement
Site Officiel © 2020. Tedi Papavrami.
LOGO-WICFOND-NOIR

Zephir-2010 © Web Informatique Créative

Enregistrement

*
*
*
*
*

Les champs marqués d'un (*) sont obligatoires.